Diskutohet gjendja e KRM “Pastërtia”, Kryetarët e Komunave Ferizaj, Shtime, Kaçanik garantojnë investime në makineri dhe pajisje për ngritjen e nivelit të pastërtisë

Diskutohet gjendja e KRM “Pastërtia”, Kryetarët e Komunave Ferizaj, Shtime, Kaçanik garantojnë investime në makineri dhe pajisje për ngritjen e nivelit të pastërtisë

Funksionimi dhe gjendja e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastërtia” ishte sot, temë e diskutimit mes Kryetarëve të Komunave Ferizaj, Shtime dhe Kaçanik me bordin e drejtorëve dhe kryeshefin e kësaj kompanie, Dukagjin Etemi.

Në këtë takim, u diskutuan një varg çështjesh që në thelb orientojnë zhvillimin e kësaj kompanie. Nikoqiri dhe njëherit aksionari më i madh me mbi 70% të aksioneve në këtë kompani, Komuna e Ferizajt, përmes Kryetarit të Komunës, Agim Aliu tha se takime të tilla i shërbejnë zhvillimit dhe orientimit të politikave që çojnë përpara këtë kompani, porse dhe ndihmojnë në tejkalimin e sfidave me të cilat përballet kompania “Pastërtia”. Ai u shpreh i gatshëm që si komunë me dominimin e aksioneve në këtë kompani, të marr përsipër një varg masash në drejtim të përmirësimit të gjendjes së mjedisit, duke investuar në makineri dhe pajisje që do të shërbenin për ngritjen e nivelit të pastërtisë në territorin e Ferizajt.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli tha se institucioni që drejton është e gatshme që pas një analize të mirfilltë të kryer brenda kompanisë të marr obligimet në përqindjen e aksioneve që i takojnë Shtimes në këtë kompani publike. Kurse Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi tha se si komunë kanë bërë një lëvizje në drejtim të menaxhimit më të mirë me mbeturinat duke siguruar diku 2300 kontenjerë që pak a shumë të ndikohet në ruajtjen e mjedisit.

Kryeshefi i KRM “Pastërtia”, Dukagjin Etemi, pas një raporti të gjerë mbi punën dhe funksionimin por edhe sfidat në këtë kompani, të cilin ia prezantoi kryetarëve të komunave, duke qenë se kjo kompani që nga viti 2007 ka marr statusin e shoqërisë aksionare, tha se përveç ta arriturave, kjo kompani, përballet edhe me sfida të cilat me një bashkëpunim si ky i tanishmi mes kryetarëve të komunave mund të tejkalohet plotësisht dhe të ofrohen shërbime më të mira për qytetarët.

Sfidat në këtë fushë sipas kryeshefit Etemi janë pamundësia teknike dhe operative që të mbulohet i gjithë territori i komunave që janë hisedare të kësaj kompanie, si dhe numri i pamjaftueshëm i makinerive, amortizimi i këtyre të fundit, të cilat me garancën e kryetarëve të komunave të Rajonit të Ferizajt, kjo gjendje do të ndryshoj në të ardhmen e afërt, për t’u modernizuar infrastruktura operative në shërbim të mirëmbajtjes më të mirë dhe ngritjes së nivelit të pastërtisë në komunat përkatëse.

Ky format takimi krijon standardin e ri të ndërveprimit dhe bashkëpunimit mes komunave në fushën e mjedisit, përkatësisht menaxhimin e mbeturinave me qëllim që qytetarëve të komunave gjegjëse t’i ofrohen hapësira të mirëmbajtura dhe të pastërta.